Ekspertiza e Lidhjes që “fundosi” Fadil Paçramin: “Letërsi armiqësore, antiparti dhe antishtetërore”

Më 27 maj u mbushën plot 95 vjet nga lindja e Fadil Paçramit, ish-ministri i Kulturës, ish- sekretar i Komitetit të PPSH-së për Tiranën, ish-kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, i arrestuar në 1975 dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie në burgun e Burrelit, por që u liria në mars 1991, me përmbysjen e regjimit komunist. Deri në vitin 1973 shkoi 13 drama, pjesën më të madhe i vuri në skenë në TK dhe teatrot e rretheve. Është  njohur edhe si publicist e gazetar. Gjatë burgut dhe pas 1991 shkroi disa drama e libra kujtimesh. Vdiq i dëshpëruar e zhgënjyer më 16 janar 2008, pasi askush nuk u kujtua për të dhe krijimtarinë e tij. Sikurse e pamë edhe në rastin e Visar Zhitit, në një botim special të “360grade.al”, për shkrimtarët, artistët që akuzoheshin për  “agjitacion e propagandë” ekzistonte, përveç hetuesisë së njohur, edhe një lloj “hetuesie” speciale, ajo e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kjo lloj “hetuesie” e veçantë vepronte mbi veprën e tyre në llojin e një ekspertime penalizuese. Të caktuarit nga hetuesia, brenda profilit përkatës, merrnin në administrim gjithë krijimtarinë letrare të personit që ishte vënë në pranga dhe në rreshta të ndryshme të romanit, novelës, poezisë, etj, përpiqeshin të lexonin ndryshe atë që ishte në të vërtetë. Janë të njohura tashme “ekspertimet” letrare ndaj rasteve të tilla të bëra publike si Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, Visar Zhitit apo Bashkim Shehut e sa e sa rasteve të tjera deri më tash të pazëshme. Leximi ndryshe i “ekspertëve”, natyrisht duhej t’i përqasej akuzës së hetuesisë.  Kjo ndodhi edhe me veprën e  Fadil Paçramit. Ja ekspertiza e bërë nga Duro Mustafai – kryeredaktor i gazetës “Drita”, Dalan Shapllo (shkrimtar), Foto Stamo (piktor), Llazar Siliqi (poet):

Tiranë, 17 qershor 1976

Lënda: Akt mbi veprimtarinë armiqësore antiparti e antishtetërore të armikut Fadil Paçrami në fushën e letërsisë e të arteve.

Në bazë të vendimit të ekspertimit datë 1 qershor 1976, të hetuesisë së sigurimit të shtetit, ne Duro Mustafai – kryeredaktor i gazetës “Drita”, Dalan Shapllo (shkrimtar), Foto Stamo (piktor), Llazar Siliqi (poet) në lidhje me veprimtarinë armiqësore të shprehur në krijimtarinë letrare artistike nga armiku Fadil Paçrami, konkludojmë si më poshtë:

Fadil Paçrami në dramat e tij nisej nga propagandimi i ideve të tij antimarksiste dhe antikombëtare duke shtrembëruar dhe falsifikuar realitetin. Kjo gjë del në mënyrë shumë të qartë në pjesën “20 ditë” (1969), shtrembëruese e realitetit të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Ne, te Fadil Paçrami, ndër të tjera, me filozofimet e tij se cilët janë humanistë, ne apo nazistët. Por në kohën e luftës antifashiste nacionalçlirimtare as që shtrohej çështja se cili është humanitar e cili barbar, duhej vrarë armiku apo jo. Fashistët kishin ardhur në vendin tonë si okupatorë, na kishin rrëmbyer lirinë dhe synonin të na shndërronin në skllevër. Fashizmi e nazizmi kishin kryer aq krime barbare, saqë popujt që i kishin provuar në kurrizin e tyre këto krime, i kishin demaskuar fashistët prej kohësh me vulën e barbarëve më të mëdhenj të historisë. Edhe këto shtresa që qëndronin ende në pasivitet, nuk dyshonin për egërsinë dhe barbarizmin e armiqve dhe për drejtësinë e luftës së ashpër çlirimtare. Përpara padrejtësive, përbuzjes dhe krimeve të kryera me shekuj në kurrizin e popullit shqiptar nga armiq të shumtë e të egër zaptues, shfrytëzues e mashtrues të ndryshëm, çdo ashpërsi e jona as që vihet në dyshim nga masat të cilat duhet t’u drejtohen përherë veprat letrare.

Tabloja epike e 19 ditëve të betejave për çlirimin e Tiranës, bërë 20 ditë nga Fadil Paçrami për t’i shpëtuar kërkesave të kritikës, është varfëruar e shtrembëruar rëndë. 19 ditët e ndjejnë veten keq në atë kafenenë ku i ka futur autori. Dhe pasi mbyllet perdja, përpara spektatorëve qëndrojnë në radhë të parë dy nazistë kryesorë, të dhënë jo sikur janë në ditët e fundit të ekzistencës së tyre, por në kulmin e fuqisë së tyre. Kurse komunisti Agim është një personazh i zbehtë dhe pa botë të brendshme. Kurse banorët e qytetit, të marrë me zor për të hapur një kanal nga kafeneja te bunkeri nazist, s’bëjnë gjë tjetër veç i binden komandës së nazistëve: çohu, ulu dhe barkas të gjithë. Qytetarët lihen në pasivitet dhe në vend që të ngrenë barrikada, siç ka ndodhur në realitet, me vullnet të Fadil Paçramit hapin kanale për armikun, ose më mirë varrin e tyre.

2

Në pjesën “4 shkurti” (shkruar më 1972, por që nuk arriti të shfaqej e të botohej) asnjë prej personazheve s’ka emër e mbiemër, s’ka kurrfarë individualiteti dhe individualizmi gjuhësor, gjë që shpie në deheroizimin revizionist nga një anë, dhe me shmangien e vulës kombëtare nga ana tjetër. Në të heronj nuk janë aspak “komunisti”, “partizania”, “njëri nga njësiti gueril” dhe “tjetri nga njësiti gueril” (kështu emërtohen personazhet pozitivë që kanë zënë një vend krejt të vogël në pjesë). Hero në “4 shkurti” është “kuislingu i parë”, të cilit i bëhet gjyqi, porse në gjyq qëndron plot dinjitet, mbron “pikëpamjet” e veta dhe bile insulton njerëzit tanë “unë njoh vetëm një gjyq – deklaron shërbëtori tradhtar i nazistëve – atë përpara historisë”, “varet kë quani tradhti ju”, “bëni ç’të doni, unë nuk përgjigjem”. “Ju - e sulmon kuislingu gjyqin revolucionar partizan – shikoni vetëm bardh e zi. Logjikë fëmijësh”. Kurse komunistët paraqiten në “4 shkurti” pa kurrfarë bote shpirtërore dhe njerëzit nga populli “kalojnë si hije prapa një perdeje të bardhë si ekran, të shtyrë nga nazistët SS”.

3

Në “Lagja e varfër” (1979) Fadil Paçrami hedh baltë pikërisht mbi punëtorët tanë gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Ai monton vrasjen e një kapteri fashist për t’i detyruar 5 punëtorët që banojnë së toku, të kalojnë në anën e popullit. Është e qartë se këtë kalim ata duhej ta bënin jo se i zë bulluri , por si rezultat i punës së partisë. Punëtorët, komunisten Besa, këtë mysafire të padëshiruar për ta, në fillim janë gati bile t’ua dorëzojnë karabinierëve dhe më vonë për shkak të strehimit të saj midis punëtorëve plas grindja. Punëtorët edhe pas vrasjes së kapterit nga halli, akoma vazhdojnë të ankohen se për sherrin e komunistes Besa u arrestuan gjithë ata njerëz, për shkak të saj u vra kapteri, për shkak të saj do ta pësojnë edhe ata një ditë. Punëtorëve u mungojnë në këtë pjesë edhe vetitë elementare të mikpritjes shqiptare apo të besës dhe të solidaritetit, kur vjen puna kundër armiqve që na kanë pushtuar. Atyre u mungon jo vetëm ndërgjegjja klasore, por edhe patriotike. I tillë është falsifikimi i autorit nga realitetit dhe ashtu i ka pasqyruar ai punëtorët.

4

Krahas vënies së armiqve në qendër të vëmendjes (“20 dite”, “Viti ‘61” dhe “4 shkurti), për të paraqitur “dramat” e përfaqësuesve të klasës sunduese apo të njerëzve të lidhur me këto klasa (“Në tufan”, “Mbi gërmadha”), duke pretenduar se idetë tona dalin kryesisht përmes shembullit negativ (“Shtëpia në bulevard”, “E bardha dhe e zeza”, “Ngjarje në fabrikë”), në pjesët teatrale të Fadil Paçramit kemi një synim të ndërgjegjshëm për të vënë në qendër të vëmendjes përfaqësuesit e inteligjencies teknike. Inxhinier është shpendi në “Mbi gërmadha”, inxhinier është Bashkimi në “E bardha dhe e zeza”, inxhinier është Besniku në “Shtëpia në bulevard”, teknik – gjeolog është Gëzimi në “Rrugëve të pashkelura”, inxhinierë janë Jashari dhe Loni në “Ngjarje në fabrikë”, inxhinier është Petriti në “Viti ‘61”, për të përfunduar te inxhinier Saimiri në “Çështja e inxhinier Saimirit”.

Në fakt ka të bëjë me mbivlerësimin e revolucionit tekniko – shkencor që shikohet kryesisht jo si vepër e masave, por e mëdhenjve të ndritura e “kokave të mëdha”, për të cilët Fadil Paçrami, duke patur parasysh vetveten, i pëlqente të filozofonte. Mbivlerësimi i revolucionit tekniko – shkencor, që i zgjidhka fare mirë të gjitha problemet e shoqërisë së sotme. Ky fakt ka të bëjë me kultin e intelektualit, me shoqërinë e drejtuar nga intelektualët.

5

Në “Ngjarje në fabrikë” (1967), siç ka theksuar shoku Enver Hoxha në plenumin e 4-t të KQ të PPSH-së – “gazetari, si në perëndim, bëhet gjykatësi i vijës së Partisë dhe i njerëzve”. Në këtë fakt fshihet synimi i njohur i Fadil Paçramit për t’u bërë jo vetëm “Papë i letërsisë dhe i arteve”, siç e përfytyron veten, por edhe “teoricieni i madh”, “shef mbi Partinë”.

Në pjesën “Vitit ’61” (1972), nuk dalin arsyet e vërteta ideologjike të prishjes me Bashkimin Sovjetik. Veç kësaj, në gojën e një punëtori, nga Fadil Paçrami është vënë fraza “gjithnjë kështu ndodh me ne”, përsëri një punëtor thotë: “ç’fat ky i yni...Sa fillojmë të marrim veten, do të ndodhë diçka!”. Në këto fjalë të vëna me qëllim pikërisht në gojën e punëtorëve tanë (qenë ata që në udhëheqjen e partisë – maja e shpatës e klasës punëtore, përballuan së toku me gjithë popullin, me heroizëm, siguri e optimizëm, bllokadën revizioniste), ka fatalizëm dhe frymë demobilizimi.

6

Pjesës “Nuk kam mall për vjetërsirat” (botuar më 1972, mbetur pa u vënë në skenë, ashtu si edhe “4 shkurti”, sepse nuk arriti t’i shfaqte si dramat e tjera, të cilat ua impononte teatrove, duke shpërdoruar autoritetin e Partisë) Fadil Paçrami i ka vënë një titull domethënës dhe provokues (pra: vjetërsirat, konservatorizmi, janë rreziku kryesor, pra: hapje e rrugës ndikimeve liberale, borgjeze revizioniste). Në pjesë, vetëm për vullnet të autorit, mësuesi përparimtar i fshatit, Fatosi, për çudi dhe jashtë çdo logjike të brendshme të personazhit, na del më vonë ngurrues, pengues dhe i prapambetur, me këtë gjë, Fadil Paçrami, synon ta paraqesë si ligj plakjen e brezit, që nga i ri bëhet i vjetër, kurse e re mbetet vetëm ajo që është biografikisht e re.

7

Idenë minuese të rrezikshme për socializmin, të luftës së brezave, Fadil Paçrami e ka shprehur qartë në pjesën “Çështja e inxhinier Saimirit” (1971), e pabotuar, e shfaqur në Durrës) që është ndër të tjera, një përpjekje e ndërgjegjshme për përçarje, një sulm armiqësor kundër unitetit të brezave.

Në këtë “manifest” të Fadil Paçramit, në pragun e denoncimit të veprimtarisë së tij armiqësore, shohim konkretisht se si kontradiktat në gjirin e popullit trajtohen si kontradiktat të mprehta antagoniste, ku njerëzit tanë stigmatizohen me egërsi si intrigantë, servilë, burokratë e konservatorë, duke u kundërvënë atyre një figurë pseudopozitive si inxhinier Saimiri (shëmbëlltyra e vetë Fadil Paçramit) apo si personazhi binjak i Saimirit, inxhinierit Holta.

Në të gjejmë kultin e “luftëtarit” kundër konservatorizmit, që del si “tema e ditës sot, dhe jo vetëm e Saimirit”, pra qartë si rreziku kryesor. Kjo pozë e luftëtarit kundër konservatorizmit është një maskë për të mbuluar përpjekjet e vërteta për t’u hapur rrugë ndikimeve borgjezo – revizioniste.

Në të gjejmë identifikimin e marshimit tonë përpara udhëtimit drejt së panjohurës, identifikimin e eksperimentimin me novatorizmin, gjejmë kultin e ajkës, e novatorëve të shquar, të cilët bëjnë gjëra që janë të paarritshme për masat, që janë mbi nivelin e tyre “mediokër”.

Në të gjejmë  kultin dhe eksluzivitetin e guximit, në fakt e një guximi megaloman e agresiv, si edhe idenë se forca sulmuese, goditëse është intelektuali novator, është vetëm rinia. Kjo ide ka të bëjë me synimet që kishte Fadil Paçrami për të joshur me demagogji rininë tonë revolucionare, guximtare e novatore, të edukuar nga Partia, në anën e qëllimeve të veta antiparti e antikombëtare.

Me qëllim të caktuar në “çështja e inxhinier Saimirit”, aksioni dramatik, në vend që të përqendrohej e thellohej në kantierin ku ka ndodhur shembja e një korpusi kryesor në një ndërtim industrial të projektuar nga inxhinier Saimiri, spostohet e kalon në universitet, pikërisht midis të rinjve, që të vendosin ata dhe jo kolektivi punëtor e vetë gjykata, se kush ka faj e kush ka të drejtë. Me shumë nervozizëm Fadil Paçrami, përmes Holtës, deklaron se “është e lehtë t’i themi tjetrit se i pëlqen vetja, ta quamë mendjemadh...E përse? Sepse guxon të thotë një mendim..., të bëjë diçka të re, kërkon dhe hedh një hap në një rrugë të pashkelur”, dhe pastaj revoltohet (sikur në vendin tonë, që është bërë në botë shembull i shquar, i rrallë i guximit të vërtetë revolucionar, guximi është një veti, që dikush frenon): “E çfarë duam?...Të mos guxojë?!... Këtë duam, të mos guxojë?!”.

Bile edhe në këtë pjesë del qartë mendimi se për zullumet që mund të bëjnë përfaqësuesit autentikë të së resë si Saimiri (sapo si Fadil Paçrami) nuk ka pse të japin llogari!...Lufta e së resë me të vjetrën, me absolutizmin që i është bërë, zëvendëson praktikisht luftën e klasave. Gabimet, sado të rënda qofshin, kur bëhen në emër të “kërkimit të së resë”, nuk dashkan dënuar as nga gjykimi i masës e as nga gjykata, e cila ka mundësi të qëndrojë (edhe në çështjen e inxhinier Saimirit qëndron) në pozitë konservatore! Saimiri, që për korpusin e shembur është thirrur në gjykatën popullore, me apriorizmin prepotencën dhe arrogancën që e karakterizojnë, i bindur 100% në pagabueshmërinë e vet (megjithëse nuk ka e nuk paraqitet asnjë provë të pafajtësisë) deklaron në mënyrë të prerë: “Në projekt nuk ka gabime”. Dhe kur prokurori e pyet se si duhet ta kuptojë këtë, Saimiri, me votëbesim prej megalomani dhe me insultim fyes, i përgjigjet: “Si shprehje e luftës mes të resë dhe të vjetrës!”.

Saimiri sulmon prokurorin, duke deklaruar se “akuza po kërkon argumente të padenja”. Kur Holta paralajmëron se “mundet që edhe Saimirin ta dërgoni në gjyq...por mos pandehni se arritët ndonjë fitore!”. Saimiri, kur merr fletëthirrjen për në gjyq, thotë i habitur: “Të them të drejtën, këtë nuk e prisja, nuk ma merrte mendja se do shkonte puna deri këtu”. Fadil Paçrami duke luftuar për të imponuar pikëpamjet e veta armiqësore, bashkohet me shqetësimet e inxhinier Saimirit:

“Është e tmerrshme, - ankohet Saimiri, - kur sheh se nuk të besojnë në ato që thua, në ato për të cilat lufton...Ka edhe nga ata, që më thurnin lavde para se të ndodhte kjo që ndodhi. Sot heshtin”.

Në gojën e një personazhi “pozitiv”, Festimit, që flet në prani të prokurorit, shprehet qartë pikëpamja se “është më mirë që prokurori dhe gjyqi të mos ndërhyjnë në këtë çështje” (e pra është shembur një korpus kryesor!). prokurori na e bërn të qartë se në ndonjë mbledhje atje në Pallatin e madh të Kulturës” është thënë hapur se hedhja në gjyq e inxhinier Saimirit është një shembull, që tregon se si ndodh që e vjetra për t’u mbajtur gjallë nuk u shmanget edhe mjeteve të tilla ekstreme”.

E vjetra, pra për të qëndruar në këmbë, përdorka tek ne edhe mjete të tilla ekstreme (!) si organet e drejtësisë! Gjyqi, pra, si mjet për mbrojtjen e së vjetrës.

Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë e Fadil Paçramit kundër vetë shtetit tonë të diktaturës së proletariatit”.

Pas kësaj eksperitze nga “ekspertët” e LSHA, Fadil Pacramit u dënua 25 vjet me heqje lirie, por për fatin e tij, kreu vetëm 15 vjet. “360grade.al”

Marrëveshja Rama-Basha, e mirë apo e dëmshme për shqiptarët?

TË FUNDIT

Avokati zbulon rivalin e  Lulzim Bashës

Avokati zbulon rivalin e Lulzim Bashës

Spartak Ngjela, është i ftuar në emisionin e gazetares Rudi...

Ja kush i del në mbrojtje Bashës dhe sulmon kritikët

Ja kush i del në mbrojtje Bashës dhe sulmon kritikët

Ndërkohë që debati për qëndrimin apo largimin e B...

Shpërthen  Genc Ruli: Ja me kë i bëri listat, Lulzim Basha

Shpërthen Genc Ruli: Ja me kë i bëri listat, Lulzim Basha

Ish-ministri i Partisë Demokratike, Genc Ruli ka bërë nj&eu...

Lëvizja “Basha ik”, Topalli flet për herë të parë

Lëvizja “Basha ik”, Topalli flet për herë të parë

Jozefina Topalli, e cila nuk u kandidua nga Basha në Shkodër ka ...

Zgjedhjet në Kavajë/ Numërohen 55 kuti, ja si ka lëvizur rezultati

Zgjedhjet në Kavajë/ Numërohen 55 kuti, ja si ka lëvizur rez…

Janë numëruar 55 kuti në Kavajë, ku numërohen vot...

Gjekmarkaj kundër Bashës: Ja pse duhet të dorëhiqet

Gjekmarkaj kundër Bashës: Ja pse duhet të dorëhiqet

Një nga mbështetësit e fortë publikë të Lulz...

Usain Bolt i futet futbollit, do të stërvitet me klubin e madh gjerman

Usain Bolt i futet futbollit, do të stërvitet me klubin e ma…

Njeriu më i shpejtë në botë dhe zotëruesi i tet&e...

Emrat “VIP” që do t’i mungojnë Parlamentit këtë legjislaturë

Emrat “VIP” që do t’i mungojnë Parlamentit këtë legjislaturë

Parlamentit të ardhshëm do t’i mungojnë një s&eu...

E plotë/ Ja kush sfidon Bashën në PD

E plotë/ Ja kush sfidon Bashën në PD

Rezultati zhgënjyes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershor...

Habit Mesila Doda, del kundër KQZ: Idrizi Deputet, kemi fituar

Habit Mesila Doda, del kundër KQZ: Idrizi Deputet, kemi fitu…

Mesila Doda e PDIU-së, në një komunikim për mediat ka ...

VIDEO/ Basha: Delegoj kompetencat e mia. Zgjedhje në parti

VIDEO/ Basha: Delegoj kompetencat e mia. Zgjedhje në parti

Lulzim Basha:  Kam vendosur që të ngrijë të gjith...

Zgjedhjet/Basha: Triumf i paligjshmërisë

Zgjedhjet/Basha: Triumf i paligjshmërisë

Kreu i Partise Demokratike Lulzim Basha ka dalë në deklaraten e ...

VIDEO/ Shpërthen Basha: Zgjedhjet u vodhën nga Hashashi, Republika e Re luftë maskaradës...Nuk jap dorëheqjen, por...

VIDEO/ Shpërthen Basha: Zgjedhjet u vodhën nga Hashashi, Rep…

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se do të vjoi luft&...

Rama lëshon bombën: Ftesë për bashkëpunim me opozitën...Marrëveshja e 17 majit duhet konkretizuar...

Rama lëshon bombën: Ftesë për bashkëpunim me opozitën...Marr…

Edi Rama i ka bërë ftesë të hapur opozitës dy ngj...

Rama i kërkon bashkëpunim, Basha ngrin

Rama i kërkon bashkëpunim, Basha ngrin

Kreu i PD Lulzim Basha ka bere nje deklarate te forte sot ne mbremje, pasi...

Gazetari Shameti: Ja si i mori Rama 74 deputetë

Gazetari Shameti: Ja si i mori Rama 74 deputetë

Gazetari Sokol Shameti ka komentuar fitoren e PS në këto zgjedhj...

Lexo më shumë ...

×